Kombin e bashkojnë projektet ekonomike, e jo broçkullat mediokre politike
Kombin e bashkojnë projektet ekonomike, e jo broçkullat mediokre politike 1. Një çështje e rëndësishme në procesin e tranzicionit padyshim është edhe ai i rrënimit të autoritetit totalitar, një mentaliteti që akoma sidomos për nga mënyra e sjelljes dhe veprimeve në jetën publike është duke i përcjell që të gjitha shoqëritë shqiptare. Pastaj ai i rolit që duhet ta loz shteti në këtë periudhë të rëndësishme socio ekonomike dhe kulturore të emancipimit. 2. Tani për tani, ka dy mendime apo të themi kushtimisht dy përvoja sociologjike lidhur me rolin që duhet ta loz shteti në këtë periudhë që janë në proces të vetëkërkimit të identitetit të ri. 3. Njëri mendim i shquar si intervencionist, ku insistohet që roli i shtetit në kushtet dhe rrethanat e reja sociale të mbetet kogja me peshë dhe detyra e obligime jo vetëm sociale, por edhe sosh juridike, morale, politike në vendimmarrjet e rëndësishme për vendin. 4. Dhe tjetri, i shquar si liberal që rolin e shtetit mundohet me të gjitha mjetet ta minimizojë dhe ta margjinalizoj deri në atë masë, sa që si thuhet ngandonjëherë si në shaka: “ta shndrroj atë, në një numër telefoni”! 5. Për dallim nga vendet dhe shtetet tjera, në Kosovë akoma ndihet gjallë jo vetëm nevoja për manifestimin dhe demonstrimin e tij, jo edhe aq si forcë sa si një pronësi sociale, politike dhe sosh juridike që dosido do t’i bënte kosovarët identik me të tjerë në rajon dhe gjetiu. 6. Rreziku nga kjo ndjenjë e manifestimit dhe demonstrimit ndër kosovarët, shumë lehtë shoqërinë mund ta qojë në një ekzaltim tjetërfare që njihet apo identifikohet me sindromën totalitare, ku roli i individit apo udhëheqësit karizmatik stërmadhohet aq shumë sa që edhe: zhvillimi, edhe emancipimi, edhe demokracia, edhe ndërtimi i institucioneve të reja…edhe lihen në dorë të një individi apo grupi të vetëm!