Politika si “rrugë e shkurtër” për t’u bërë milioner në Kosovë
Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika. Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, disa zyrtarë të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qofshin ato qendrore apo lokale, janë tashmë milionerë me pasuritë e tyre, kurse të tjerë hyjnë në kategorinë e njerëzve të pasur.
Edhe pse pagat e zyrtarëve të lartë shtetërorë në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit sillen mbi 13 mijë euro në vit, pasuria e patundshme e deklaruar paraqitet prej qindra mija eurosh apo edhe pasuri milionëshe.
Mospërputhshmëria në mes pagës që marrin dhe pasurisë së deklaruar, sipas shoqërisë civile, krijon hapësirë për dyshime për pasuri të paligjshme.
Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë se dyshon që pasuria e shumë politikanëve apo zyrtarëve shtetërorë është e ndërlidhur me biznesmenë të cilët përfitojnë nga tenderët e institucioneve publike.
“Krijohet dyshimi se një pjesë nga ta mund të kenë pasuri të dyshimtë ose pasuri të paligjshme, që mund të kenë lidhje përmes proceseve të ndryshme tenderuese ose përfitime të ndryshme nga bizneset që kanë lidhje direkt me partitë politike, për shkak të marrjes së numrit të madh të tenderëve nga institucionet. Përndryshe nuk ka kuptim nëse e sheh diskrepancën në mes të të hyrave të tyre dhe pasurisë së paraqitur”, tha Demhasaj.