Të fundit

Policia e Kosovës parandalon kondtrabandën me mallra në rrugën Preshevë-Gjilan

Policia dhe Dogana e Kosovës kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në zonën kufitare në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Siç bën të ditur Policia e Kosovës, në rrugën Preshevë-Gjilan, kanë tentuar të ndalojnë një veturë me targa të Serbisë, por që drejtuesi i automjetit nuk i ka zbatuar urdhrat për ndalje dhe ka tentuar të ikë në drejtim të Serbisë.

Policia ka arritur të kapë të dyshuarin në dalje të fshatit Pasjan.

“Më datë 20.03.2024, në rrugën Preshevë-Gjilan, njësitet e lartcekura të TASK-FORC-ës, kanë tentuar ta ndalojnë veturën me targa të Serbisë. Drejtuesi i automjetit nuk ka zbatuar urdhrat për ndalje dhe ka tentuar të kthehet në drejtim të Serbisë. Në dalje të fshatit Pasjan, kanë arrit të ndalojnë automjetin e dyshuar me drejtues Q.H., dhe pasagjer Y.Sh., që të dy nga Presheva”, thuhet në raportin e policisë.

Policia ka bërë me dije se gjatë kontrollit të automjetit, është vërejtur se në veturë ishin të ngarkuara disa thasë me nxehëse të ndryshme për bojlerë dhe shporet elektrik 934 copë, mall me origjinë nga Serbia, me vlerën e tregut mbi 10 mijë euro.

“Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit drejtuesi i automjetit ndalohet për 48 orë, malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohet dhe dërgohen në terminalin doganor-Dheu i Bardhë”, thuhet në njoftim.