Lajme

Policia e Kosovës arrestoi 16 serbë, reagon Vuçiq: Terrori kundër serbëve vazhdon

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar të dielën duke i cilësuar si “terror”, arrestimet e disa oficerëve serbë në Kosovë, që paraqiteshin si “pelegrinë”, siç kanë kumtuar istitucionet e Kosovës.

Në një adresim për media, Vuçiq ka thënë se personat e arrestuar po shkoni në manastire në rrethinën e Prizrenit.

“Vetëm sot në Kosovë janë arrestuar 16 persona nga Serbia qendrore, të cilët po shkonin për të vizituar seminarin dhe manastiret tona në afërsi të Prizrenit”, ka thënë Vuçiq, ka raportuar Kossev.

“Imagjinoni, disa nga ata njerëz janë anëtarë të strukturave të sigurisë. Dhe pastaj ata gjetën një thikë dhe një sëpatë të thyer që përdoret për Zoti e di se çfarë. Është fare e qartë se ajo nuk përdoret për asgjë tjetër përveç disa nevojave private”, ka thënë presidenti serb.

 “Kjo ju tregon se çfarë lloj terrori kundër serbëve do të vazhdojë, sepse është e rëndësishme që të jetë vetëm kundër serbëve dhe kuptohet, të gjithë nga bota do të heshtin dhe nuk do të thonë asnjë fjalë”, tha Vuçiq.