Shqipëri

Përplasjet mes Ramës dhe opozitës vazhdojnë rreth Teatrit Kombëtar

Teatri Kombëtar në Tiranë është bërë sërish shkak, të mërkurën, për përplasjen mes një grupi artistësh dhe forcave të Policisë Shqiptare.

Që në orët e para të mëngjesit policia kishte rrethuar institucionin, dhe artistët denoncuan se ishin dhunuar nga policia për t’u larguar dhe për t’ua liruar hyrjen disa punonjësve të administratës që ishin ngarkuar me procesin e inventarizimit të materialeve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Artistët kërkuan të hynin brenda për të parë se çfarë po ndodhte brenda ambienteve të Teatrit, por ata nuk u lejuan nga policia. Kjo shkaktoi disa herë përplasje dhe tensione mes policisë dhe protestuesve.

Të ndodhur në këto kushte, regjisori Edmond Budina, mes emocioneve dhe dridhjes së zërit kërkoi ndihmën e të gjithëve për të mos lejuar prishjen e Teatrit Kombëtar. “Nuk mund të dhunohet ky tempull. Ky vend është i shenjtë. Teatri i ri të bëhet diku tjetër. Ju lutem na mbështetni, është vlera jonë. Po i ruajmë institucionet nga vjedhja e oligarkëve”, tha Budina.