Përpjekje e madhe e SHBA’së për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi
Si asnjëherë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po bëjnë përpjekje për të arritur marrëveshje historike mes Kosovës e Serbisë, marrëveshje kjo që sjell njohjen e pavarësisë nga ana e shtetit serb.
Në një periudhë jo shumë të largët, presidenti i SHBA’së, Donald Trump, i ka dërguar dy letra presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa, ky i fundit letër gjatë fundjavës pranoi edhe nga ish-zëvëndëspresidenti i SHBA’së, Joe Biden.
Përmes kësaj letre, u pa se zyrtarët amerikanë ofrojnë mbështetjen e tyre për një marrëveshje e cila përfundon me njohjen e Kosovës nga Serbia.
Duke folur për arritjet e Kosovës që prej shpalljes së Pavarësisë, Biden ka shkruar se një marrëveshje me Serbinë që do të çonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës, do të ishte një prej arritjeve më të rëndësishme.
“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë e cila do të çonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës do të ishte një arritje e rëndësishme që do të ndihmonte në arritjen e të gjitha këtyre gjërave. Ju uroj fat të mirë në ndjekjen e një qëllimi të tillë. Ju e dini se angazhimi im ndaj Kosovës është i madh dhe unë do të vazhdoj të ofroj kontributin tim për popullin e Kosovës “, shkruan në letrën e Biden.
E përveç presidentit Thaçi, letër nga Trumpi javë më parë ka marrë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic.
Në letrën e Trump dërguar Vucic’it, presidenti amerikan ka përmendur edhe marrëveshjen Kosovë – Serbi, ku si element qendror të marrëveshjes, ai e sheh njohjen e Kosovës nga Serbia.
Sidoqoftë, taksa 100 përqind e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë, ka ndalur përkohësisht bisedimet mes dy vendeve.
SHBA dhe Bashkimi Evropian po bëjnë vazhdimisht thirrje që taksa të pezullohet, në mënyrë që të përfundojë edhe marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë.