KryesoreShqipëri

Përgjimet e Avdylajve në “Bild”, Basha: Radiografia e pushtetit mafioz të Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas publikimeve të audiopërgjimeve në gazetën “Bild”, ku një prej vëllezërve Avdylaj komunikun me Vangjush Dakon dhe eksponentë të tjerë të Partisë Socialiste në Shijak.

“Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze BILD kanë tronditur sot shumë shqiptarë dhe shumë miq të huaj, të cilët kanë hequr çdo dyshim se për të mbajtur pushtetin e kalbëzuar nga korrupsioni, Edi Rama ka bërë pakt me krimin, ka blerë vota nëpërmjet bandave dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës.

6 përgjimet e publikuara nga media gjermane si pjesë e dosjes 339/1 janë radiografia e pushtetit mafioz dhe ilegjitim të Edi Ramës.

Bisedat tregojnë fuqinë e krimit të organizuar:

• Për të ndikuar në emërimin e deputetëve dhe të kryebashkiakëve të PS.

• Për të blerë votat për llogari të Edi Ramës sipas objektivit të caktuar prej tij.

• Për të urdhëruar administratën publike të identifikojë kundërshtarët politikë të Edi Ramës, që t’i kërcënojnë për votën e tyre.

• Për të marrë favore shtetërore në kundërshtim me ligjin.

• Për t’u informuar për axhendën politike brenda dhe jashtë vendit të kryeministrit.

Përgjimet që mbahen peng nga prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, janë konfirmim i pakundërshtueshëm se:

• Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 është produkt i krimit të organizuar.

• Qeveria e Edi Ramës është ilegjitime.

• Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Përgjimet e publikuara nga BILD janë tregues i historisë politike të Edi Ramës: ai ka ardhur në pushtet nga krimi dhe e mban pushtetin me krimin e për krimin.

Sot më shumë se kurrë, vendi ka nevojë për zgjidhje politike, e cila kalon përmes largimit të kryeministrit ilegjitim Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Lulzim Basha, Facebook