Kryesore

Përfundon uniteti i shqiptarëve në Bujanoc, partitë shqiptare me akuza ndaj njëra tjetrës

Gjatë ditës së djeshme dega e PVD-së në Bujanoc, pas takimit të deputetëve shqiptar me presidentin Vuçiq, paralajmëroi fundin e përpjekjeve për arritjen e një shumice shqiptare për qeverisjen e Bujanocit.

Duke akuzuar Partinë Demokratike të Bujanocit për bisedime rreth themelimit të udhëheqjes lokale me Përparimtarët e Vuçiqit, dhe duke akuzuar LPD-në e APN-në për bashkim të mëvonshëm në këtë qeverisje, PVD në Bujanoc përmes një postimi në faqen e saj në facebook shkroi se “farsa e unitetit shqiptarë në Bujanoc përfundoi”.

Të menjëhershëm kanë qenë edhe reagimet e partive tjera në lidhje me mundësinë e themelimit të koalicionit qeverisës në Bujanoc, duke lënë mbrapa unitetin shqiptarë vetëm 15 ditë pas zgjedhjeve dhe duke iu rikthyer akuzave.

Lideri i Përparimtarëve të Vuçiqit për komunën e Bujanocit, Nenad Mitroviq, ka deklaruar se as pas takimit të djeshëm nuk janë marrë vesh me Partinë Demokratike të Nagip Arifit për koalicionin e ardhshëm në Bujanoc, transmeton FOLonline.

Në një deklaratë për portalin “ Bujanovaçke “ Mitroviq ka thënë se kontestuese mbetet pozita e kryetarit të Kuvendit Komunal për të cilën nuk është rënë dakord. Njeriu i parë i SNS-it në Bujanoc nuk ka dashur të zbulojë më shumë se në cilat pika janë përafruar qëndrimet me PD-në.

Arbër Pajaziti, udhëheqësi i APN-së në Bujanoc, përmes një postimit në facebook, ka thënë se përgjegjës të vetëm nëse vie deri tek mosarritja e koalicionit prej të paktën 21 këshilltarëve shqiptarë janë PD dhe PVD.

Pajaziti edhe më tej ka shprehur gatishmërinë e subjektit që drejton që pa kushte ta përkrah koalicionin e përbashkët shqiptar për qeverisje në Bujanoc, postim në të cilin ka shkruar “Të bashkuar përballë Vuçiqit! – Të ndarë përballë njëri-tjetrit!”

Sipas raportimeve të disa portaleve lokale të Bujanocit para takimit të realizuar mes PD-së dhe SNS-it, në selinë e Partisë Demokratike në Bujanoc është zhvilluar edhe një takim midis PD-së, LPD-së dhe APN-së. Për dallim nga herët tjera, në këto bisedime nuk ishin të ftuar përfaqësuesit e PVD-së.

Deri më tash, as PD si fituese e zgjedhjeve lokale e as LPD si parti shqiptare pa të cilën nuk do të mundet të bëhet një koalicion shqiptarë, nuk janë deklaruar për publikun rreth bisedimeve me SNS-in dhe mundësinë e dështimit të krijimit të një shumice shqiptare në Bujanoc.