Përfaqsuesit e APN-së premtojnë hapjen e dy fabrikave në Bujanoc
Kryetari i Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, Arbër Pajaziti, në vlugun e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Bujanoc, pas një takimi me përfaqsuesin e APN-së në Medvegjë Muharrem Salihin ka deklaruar se së shpejti do të sjellin në Bujanoc dy fabrika, raporton rtvp.
Postimi i plotë i Arbër Pajazitit :
Një takim me mikun tim, Muharrem Salihu, afarist i suksesshëm dhe veprimtar i zellshëm i çështjes tonë kombëtare, veçmas në shërbim të zgjidhjes së pozitës së vështirë të shqiptarëve në komunë të Medvegjës.
Përveç që më uroi suksese në garën zgjedhore të 21 qershorit, z. Salihu më siguroi se me arritjen e ndryshimit në Bujanoc, lobimi i tij në sjelljen e investitorëve të huaj në komunën tonë do të jetë përkushtim kryesor nga ana e tij.
Në këtë drejtim, me kalimin e gjendjes së plotë të pandemisë, në Bujanoc do të arrijnë dy kompani të fuqishme, njëra italiane e tjetra turke.
Kur ke afër vetes njerëz si Muharrem Salihu i cili zotësinë e tij e ka dëshmuar me hapjen e vendeve të shumta të punës anekënd globit, atëherë përmisimi i gjendjes ekonomike në Bujanoc mbetet çështje gati se e sigurt.
Medvegja, Bujanoci dhe Presheva duhet të funksionojnë si tërësi e asesi si të ndara.
Vetëm kështu suksesin e kemi të pashmangshëm!