Bota

Për sulmet terroriste në SHBA akuzohet edhe Trumpi

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka vend për urrejtje në shtetin që drejton, pasi 29 persona u vranë në dy sulme të ndara gjatë fundjavës. E këto dy sulme kanë nxitur akuzat ndaj presidentit se edhe ai ka përgjegjësi për ngjarjet tragjike.

Sulmi në qendrën tregtare “Walmart” në El Paso, la të vdekur 20 persona, ndërsa nëntë të tjerë vdiqën në masakrën e Daytonit në Ohio, transmeton KTV. Presidenti amerikan tha se ndoshta duhet të bëhet më shumë për të ndalur këto sulme, por kritikët thonë se vetë presidenti është problemi, duke përmendur retorikën kundër emigrantëve dhe kundërshtimin e madh që ia bënë kontrollit më të rreptë të armëve.

Një 21-vjeçar është arrestuar për masakrën në Teksas dhe besohet se përmes rrjeteve sociale, bëri thirrje për sulme si përgjigje ndaj “pushtimit latin” të SHBA-së. E i paqartë mbetet motivi i vrasësit në Ohio, që gjatë fundjavës vrau motrën dhe tetë persona të tjerë.

Në një konferencë për media, Trumpi tha se vrasjet në masë duhet të ndalen dhe për të dyja sulmet fajësoi “problemet mendore” të vrasësve, por deri më tani, hetuesit nuk kanë gjetur shenja se të dyshuarit kishin probleme të cilat i përmendi presidenti.

Prokurorët e Teksasit deklaruan se sulmi në El Paso është duke u trajtuar si akt terrorist, por janë duke konsideruar edhe akuzën për krime me motive të urrejtjes racore ose etnike.