Kryesore

Për 3 vjet rreth 200 mijë punëtorë lëshuan Kosovën

Me largimin enorm, Kosova po mbetët pa fuqi punëtore dhe kriza do të jetë më e madhe në vitet në vijim

Të lënë anash nga shteti, bujqit po marrin “rrugët e mërgimit” me shpresën që shteti ku “strehohen” do t’u ofrojë mundësi më të mira punësimi e zhvillimi.

Por jo vetëm bujqit, të rinjtë janë piku kryesor që duan të largohen nga Kosova.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, për median Shqip ka paralajmëruar se vendi do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore viteve në vijim.

Madje, sipas tij, numri më i madh i punëtorëve që po ikin nga Kosova janë profesionistë të fushës.

“Sipas të dhënave që i kam, në periudhën 2018-2021 kanë dalë mbi 200 mijë punëtorë nga Kosova, të profileve të ndryshme”.

Ai arsyeton ikjen e të rinjve, duke thënë se “nuk jetohet deri në pafundësi duke shpresuar se në Kosovë do të bëhet mirë”.

“Mbi 70 për qind e punëtorëve që punojnë këtu, në Kosovë, e kanë qëllimin të dalin jashtë, sepse shteti nuk merret seriozisht me ta dhe kjo do t’i kushtojë vendit, në veçanti pronarëve të kompanive që do të mbesin pa punëtorë”.