Maqedoni

Pendarovski: Sot fituan qytetarët, do të jem i përkushtuar për të gjithë

Kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski, u zotua sonte se misioni i tij si shef i ri i vendit është bashkimi i të gjithë qytetarëve në rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në strukturat euro-atlantike dhe për një zhvillim stabil ekonomik.

Ai në një konferencë për media në Shkup vlerësoi zgjedhjet e sotme të rregullta dhe një sukses të madh për të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë edhe shqiptarët.

“Kjo është fitore e të gjithë qytetarëve, e cila pa dallime etnie janë të bashkuar për të ecur përpara. Sot fituan qytetarët dhe do të jem i përkushtuar për të gjithë. Rezultati i zgjedhjeve presidenciale është një sukses i madh, pasi në këto zgjedhje u sigurua për të ecur përpara dhe fitoi koncepti për të ecur përpara dhe kjo është karta jonë për Evropën. Presim nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, pasi e meritojmë”, tha Pendarovski.

Ndryshe, kandidati i përbashkët i koalicionit qeverisës tashmë ka fituar në raundin e dytë për zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë veriore, kur deri në fund të numërimit ka mbetur më pak se katër për qind të votave.