Lajme

PDK: Qeveria në detyrë ka dështuar në luftën kundër pandemisë, po manipulon me shifra

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, thotë se në mesin e 100 dështimeve të njëpasnjëshme që ka bërë qeveria Kurti në 100 ditëshin e parë, numrin më të madh e zënë dështimet në luftën kundër pandemisë.

“Në prezantimin e 100 ditëshit por edhe në rrethana të tjera, kryeministri i shkarkuar si dhe qeveritarët e tjerë janë mburrur sikur Kosova ka shkëlqyer në menaxhimin e pandemisë. Madje kanë folur superlativa qesharake të tipit Kosova model për Evropën edhe tërë Botën”, shkruan Bytyçi në Facebook.

Mirëpo, shkruan ai, “nuk ka nevojë që të shkohet aq larg, mjafton të krahasohet me shtetet fqinje për të kuptuar traditën e mashtrimit dhe dizinformimit që ka ndërtuar qeveria Kurti”.

“Nëse shikohet numri i të infektuarve duhet theksuar se Kosova qëndron shumë prapa Republikës së Shqipërisë e cila ka edhe lidhjen më të ngushtë me vatrën evropiane të infeksionit, Italinë. Shqipëria ka sot në total 916 të infektuar ndërsa Kosova 955. Shqipëria ka gjithashtu popullsi të madhe prandaj po të krahasohet për 1 milionë banorë i dalin 318 të infektuar ndërsa Kosovës 530. Më mirë qëndron edhe Mali i Zi i cili e ka këtë shifër 516”, shkruan tutje zëdhënësi i PDK-së.

Tutje, Bytyçi i PDK-së thotë se qeveria në detyrë po manipulon me shifra.

“Gjithashtu duhet theksuar se çdo jetë njeriu e humbur e që mund të ishte shpëtuar vlen jashtëzakonisht shumë. Prandaj është e pahijshme të thuhet siç bëjnë qeveritarët tanë që kemi pasur pak vdekje, sepse çdo vdekje është shumë e rëndë. Mirëpo edhe këtu qeveritarët e shkarkuar manipulojnë me të dhënat sepse Kosova ka 29 humbje jete ose 16.11 për 1 milion ndërsa Shqipëria këtë shifër e ka 10.9 ndërsa Mali i Zi e ka 14.2. Pra sërish këto fqinjë janë më mirë se Kosova. Prandaj kjo qeveri duhet demantuar sepse menaxhimi i pandemisë që ka bërë Kurti e Vitia, jo vetëm që nuk është më i miri në Evropë por nuk është mjaftueshëm i mirë as sa i fqinjëve tanë”, përfundon Bytyçi.