Lajme

PDK-ja e shkëput koalicionin me LDK-në në Prishtinë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se ka shkëputur koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së në Prishtinë Uran Ismaili, pak minuta pasi që në Kuvendin Komunal është votuar për anulimin e vendimit për këmbim të pronave.

“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare te Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Ai ka thënë se për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster.

“Nën udhëheqjen e shkëlqyer të nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë ‘Prishtina na Bashkon’ e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë. Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet”, ka shkruar Ismaili.