Shqipëri

PD: Rama e Veliaj po vijojnë blerjen e votave

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edi Paloka, ka denoncuar sipas tij blerjen e votës që po vijon të bëjë Partia Socialiste dhe Bashkia e Tiranës.

“Edhe kur është i vetëm në votime, edhe kur kontrollon çdo hallkë të zinxhirit që ka lidhje me votën, Edi Ramës sërish i duhet të blejë votues, i duhet të vjedhë, i duhet të manipulojë rezultatin. Këtë herë Edi Ramës i duhet pjesëmarrja për të fshehur braktisjen masive të shqiptarëve. Për këtë arsye, ai ka vënë sërish në funksionim skemën kriminale të blerjes së votuesve”, tha ai.

Sipas tij, Partia Demokratike ka marrë me mijëra denoncime që demaskojnë këtë skemë, duke shfaqur edhe një video.

“Është një skuadër kriminale, me njerëz të Partisë Socialiste dhe të punësuar të Bashkisë së Tiranës, që kryejnë krimin penal të blerjes së votës dhe krimin moral të korruptimit të shpirtit të një vajze të re. Për fat të keq, vajza duket që e ka për herë të parë një operacion të tillë kriminal”, vijoi Paloka.

Paloka tha se kanë mundur të identifikojnë deri tani se njëri nga personat i përfshirë është Edmond Hajro, komisioner i PS tek njësia nr 9 Tiranë, pranë kopshtit numër 3. Ai është administrator i një pallati, i emëruar nga Bashkia e Tiranës.

“Mbajeni mend mirë këtë video. Kjo është fytyra kriminale e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt, që blejnë votues për pushtetin e tyre personal me para të krimit, me para të korrupsionit që ua kanë vjedhur ju dhe fëmijëve tuaj! Prandaj, gjëja më e mirë që mund të bëni sot është ta bojkotoni Edi Ramën. Bëni rezistencë. Bashkoheni me protestat e qytetarëve të tjerë kundër votimeve kriminale, të paligjshme, kundër blerjes së të rinjve, në vend të shkollimit apo punësimit të tyre dinjtoz”, përfundoi Paloka./Tvklan/