Lajme

Pas takimit me zyrtarët e lartë amerikanë, Thaçi i shkon në shtëpi Isa Mustafës

Presidenti Hashim Thaçi, ka vizituar të mërkurën mbrëma kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Lidhur me këtë, Telegrafi ka folur me zyrtarët e LDK-së.

Zëdhënësi i LDK, Besian Mustafa, i ka thënë Telegrafit, se vet Presidenti Thaçi ka kërkuar takim me kreun e LDK-së Isa Mustafa.

“Mund të konfirmoj që, me kërkesë të Presidentit Thaçi, kryetari Mustafa e ka takuar në shtëpinë e tij, ku është njoftuar nga Presidenti rreth vizitës së sotme të dy zyrtarëve nga SHBA-ja dhe kërkesave të tyre drejtuar koalicionit qeverisës”, ka thënë zëdhënësi i Lidhjes Demokratike.

Duhet theksuar se sot gjatë ditës, Presidenti Thaçi bashkë me kryeministrin Haradinaj, janë takuar me delegacionin e lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përbërje të John Erath dhe Brad Berkley.

Duke komentuar indirekt vendimin për taksën, Haradinaj ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet ta rregullojë edhe tregtinë e lirë.

Ndërkaq, zyrtarët e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka theksuar se Kosova me çdo kusht do t’i ruajë marrëdhëniet me SHBA-në.