Pas letrës së Kamberit drejtuar presidentit të KE-së ,vjen dhe reagimi i Martinoviqit
Me rastin e letrës së deputetit popullor dhe kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, drejtuar kryetarit të Këshillit Evropian António Costa, si dhe përgjigjes që ka ardhur nga Brukseli në këtë lidhje, ndjejmë obligim që, në interes të së vërtetës dhe për informimin e saktë të opinionit vendas dhe ndërkombëtar, të theksojmë qartë faktet në vijim:
Çështja e pasivizimit të adresave është një çështje ekskluzivisht administrative dhe ligjore, e në asnjë mënyrë politike. Ajo zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e Republikës së Serbisë, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare apo etnike të qytetarëve. Në mbështetje të kësaj flasin të dhënat zyrtare të cilat tregojnë se nga fundi i vitit 2011 deri në mesin e vitit 2024 janë pasivizuar 647 adresa në Inxhi, 3.863 në Nish dhe 3.022 në Pançevë. Çdo insinuatë për selektivitet etnik përbën një dezinformim të qëllimshëm të opinionit dhe keqpërdorim të një procesi teknik-administrativ për qëllime politike.
Deklaratat e Shaip Kamberit janë të pabazuara, të motivuara politikisht dhe të rrezikshme, pasi me to në mënyrë të vetëdijshme tentohet destabilizimi i komunave në jug të Serbisë. Veçanërisht shqetësuese është përpjekja për të transmetuar konfliktet e brendshme politike dhe krizën institucionale në Kosovë në territorin e Preshevës dhe Bujanocit.
Trupi Koordinues dhe Shërbimi i tij vazhdimisht bëjnë thirrje për dialog të hapur dhe konstruktiv me të gjithë akterët relevantë, me respekt të plotë për Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Megjithatë, dialogu është i mundur vetëm nëse ekziston vullnet nga të dy palët. Z. Kamberi në mënyrë të vazhdueshme refuzon komunikimin institucional, vepron në mënyrë të njëanshme dhe me këtë vetëdijshëm saboton interesat e qytetarëve që formalisht i përfaqëson.
Në kundërshtim me pretendimet e tij, Republika e Serbisë gjatë periudhës së kaluar ka ndërmarrë një sërë masash në bashkëpunim me përfaqësuesit e pakicës kombëtare shqiptare. Dy mjeke të nacionalitetit shqiptar kanë marrë punësim të përhershëm në Qendrën Shëndetësore në Vranjë. Qeveria e Republikës së Serbisë, në mbledhjen e saj më 25 janar 2024, miratoi vendimin për renovimin e shkollës fillore “Sami Frashëri” në fshatin Lluçan, komuna e Bujanocit, në vlerë prej 90 milionë dinarësh. Në Bujanoc janë hapur dy grupe të reja kopshti në gjuhën shqipe – një grup për fëmijë deri 3 vjeç dhe një tjetër për fëmijë të moshës 3 deri 5 vjeç.
Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se ministri aktual për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe për dialog shoqëror në Qeverinë e Republikës së Serbisë është nga pakica kombëtare shqiptare, që paraqet një dëshmi konkrete të integrimit të thellë institucional dhe barazisë së vërtetë.
Republika e Serbisë mbetet e përkushtuar fuqimisht në mbrojtjen dhe përmirësimin e pozitës së të gjitha pakicave kombëtare, në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe ndërkombëtare. Politika jonë bazohet në vepra, e jo në spekulime politike, dhe kjo përkushtim nuk do të cenohet, pavarësisht përpjekjeve për dezinformim dhe krijim të pasigurisë.
Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues