Pas Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe në Kosovë nis thirrja për bojkot të marketeve shkaku i çmimeve të larta
Edhe në Kosovë ka filluar thirrja për bashkëngjitje në fushatën e nisur në Kroaci dhe Maqedoni të Veriut për t’i bojkotuar marketet për shkak të çmimeve të larta, shkruan Reporteri.net.
Në vendin tonë të shtunën ka nisur të qarkullojnë disa fotografi në rrjetet sociale me mbishkrimin “Kosova bojkoton, 1-7 shkurt”, megjithatë nuk është bërë e ditur kush qëndron mbrapa thirrjes.
Një nga personat që ka shpërndarë foton për bojkot të marketeve është aktorja Arta Selimi.
Në foton e shpërndarë në rrjetet sociale bëhet thirrje të bojkotohen supermarketet e mëdha si; Viva Fresh Store, Meridian, ETC, Spar, Super Viva e Interex.