Kryesore

Partitë shqiptare mobilizohen për regjistrimin e popullsisë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegj

Subjektet politike shqiptare në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë kanë filluar një fushatë senzibilizuese për procesin e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet nga 1 deri më 31 tetor të vitit 2022, shkruan Titulli.com.

Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptarë është shprehur se formularët janë në në gjuhën shqipe dhe mundësojnë regjistrimin e banorëve edhe shqiptarë përfshi këtu ata që janë në diasporë, Kosovë dhe ata që janë pasivizuar.

“Në fletëregjistrimet, përkatësisht në formularët e regjistrimit është lënë hapësira që një anëtar i familjes mund të regjistroj të gjithë anëtarët e tjerë familjarë”, ka theksuar Ragmi Mustafi.

Partitë politike shqiptare në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjës si dhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 25 Korrik në Bujanoc kanë nënshkruar një marrëveshje për pjesëmarrjen në regjistrim e caktuar të popullsisë dhe banesave.

Partia për Veprim Demokratik (PVD), subjekt që shtrihet në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë ditë më parë filloi një fushatë informuese për regjistrimin e popullsisë.

“Me strukturat e PVD-së në Preshevë, filluam fushatën e informimit dhe sensibilizimit me procesin e Regjistrimit të popullsisë. Të dëshmojmë se Lugina e Preshevës është shqiptare duhet të jetë imperativ i joni në këtë proces. Kjo është obligim i çdo shqiptari të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi.

Edhe Partia Demokratike, subjekt që udhëheq me komunën e Bujanocit në takimin e së dielës (18 shtator) me kryesinë e partisë ka vlerësuar rëndësinë e madhe e regjistrimit të popullsisë dhe nevojën për organizim sa më të mirë.

“ Të gjithë qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë që të regjistrohen. Për këtë rast, ftojmë qytetarët e Luginës së Preshevës që gjatë muajit tetor prej kur fillon regjistrimi, t’iu përgjigjen sa më masovikisht regjistrimit”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.

Sipas informacioneve të siguruara nga administrate komunale në Bujanoc dhe Preshevë për procesin e regjistrimit të popullsisë janë të angazhuar rreth 81 regjistrues që do të marrinë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave nga 1 deri me 31 tetor.

Instituti Republikan për Statistika i Serbisë ka organizuar trajnim për kandidatët e përzgjedhur për regjistrim të cilët janë të angazhuar në këtë proces nga 23 shtatori deri më 31 tetor

Procedurat e regjistrimit të popullsisë mundësojnë që një anëtarë i familjes mundë të regjistrojë anëtarë tjerë që nuk janë prezentë vetëm me numër personale të tyre dhe regjistruesit e autorizuar nga Instituti Republikan për Statistika shkojnë npër shtëpi deri në 3 herë.

Ambasadori në Serbi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jan Bratu, ka thënë gjatë një vizite në Bujanoc se regjistrimi i popullsisë në Serbi do të jetë në përputhje të plotë me standardet evropiane.

Shqiptarët në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 me arsyetimin se formularët ishin përgatitur në gjuhën serbe dhe me alfabet cirilik dhe arsye tjera.

Në bazë të vlerësimit të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60.000 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare, kryesisht në komunat e Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.