Partitë duan shpejt datën e zgjedhjeve, Veseli konfirmon kandidaturën për kryeministër
Edhe legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës nuk arriti që të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.
Kjo, pas votimit pro shpërndarjes së Kuvendit e që hap rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, raporton KTV.
Nga hapësirat e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e partive politike u shprehën të gatshëm për zgjedhjet e parakohshme, derisa bënë të ditur edhe preferencat e tyre qeverisëse.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, vendimin e deputetëve e quajti shenjë të pjekurisë politike.
Ai përsëriti gatishmërinë për bashkëpunim me Nismën dhe AKR-në, derisa tha se qytetarët do të jenë ata që vendosin se kush do ta udhëheqë vendin.
E, ish-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, konfirmoi kandidaturën e tij për kryeministër, duke përsëritur premtimet e tij për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Caktimin e datës së zgjedhjeve, e kërkoi shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Për koalicionin e mundshëm me LDK-në, ka folur Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Por, koalicionin me PDK-në, LDK-në e VV-në e ka përjashtuar Bilall Sherifi nga Nisma.
Zgjedhjet, sipas Kushtetutës, nuk duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe më vonë se 45 ditë që nga shpërndarja e Kuvendit.