Parlamenti Evropian dënon ndërhyrjen turke në Siri
Parlamenti Evropian dënoi sot ndërhyrjen turke në verilindje të Sirisë dhe i kërkoi Ankarasë për të tërhequr të gjitha forcat e ushtrisë.
Në rezolutën, e votuar, Parlamenti theksoi se ndërhyrja ushtarake përbën një shkelje të rëndë të legjislacionit ndërkombëtar dhe kompromenton stabilitetin dhe sigurinë e rajonit në tërësi.
Eurodeputetët hodhën poshtë krijimin e një zone të pretenduar të sigurisë dhe shprehën solidaritetin e tyre me popullin kurd. Ata gjithashtu përmendën frikën për një rishfaqje të ISIS-it.
Edhe kreu i Pentagonit, Mark Esper, kritikoi sot, në takimin me homologët e tij të NATO-s në Bruksel, ofensivën ushtarake të Turqisë kundër Sirisë, por pa e dënuar atë.
“Turqia na vuri në një situatë të keqe me këtë ndërhyrje të pajustifikueshme, por ne nuk do të hapim luftë me një aleate të NATO-s, një aleate e mirë që prej pranimit të saj në vitin 1952”, u shpreh Esper.
Mark Esper e justifikoi tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Siria duke thënë se vendimi i SHBA-së për të tërhequr më pak se 50 ushtarë u mor pas vendimit të Erdogan për të kapërcyer kufirin me Sirinë.