Lajme

Paralajmërohet protestë pranë zyreve të BE-së nëse Maja Kocijançiq nuk tërheq qëndrimet për çështjen e Trepçës

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur sot në takim kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Trepçës, Shyqyri Sadiku, me të cilin kanë diskutuar lidhur me deklarimet e fundit të zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq.

Në këtë takim është diskutuar lidhur me dy tema rreth deklarimit të zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq, e cila ka thënë se çështja e Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, edhe përkundër faktit që Kuvendi i Republikës së Kosovës para pak ditësh ka votuar Statutin e ri për Trepçën, njofton Klan Kosova.

Kryetari Bahtiri së bashku me kryetarin e Sindikatës, Sadikun, e kundërshtojnë fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së, Kocijançiq, duke thënë se tema mbi Trepçën nuk guxon të jetë asnjëherë pjesë e diskutimeve në Bruksel.

Kjo pasi Trepça është e minatorëve, dhe përbën një pasuri kombëtare, andaj diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Të dy palët ishin të pajtimit që zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, të tërhjek qëndrimet e saj për çështjen e Trepçës përmes një deklarate, përndryshe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shumë shpejt do të organizojnë protesta para zyrave të BE-së në Prishtinë.