Paralajmërimi i Von Der Leyen: Të mbajmë afër Ballkanin ose do ta bëjnë të tjerët
“Bashkimi Europian të mbajë pranë vetes Ballkanin Perëndimor, ose shtete të tjera do të përfitojnë”.
Ishte ky paralajmërimi serioz i lëshuar nga Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen pas bisedimeve me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ajo tha se mbështet plotësisht qëndrimin e Berlinit pro zgjerimit të BE-së, ndërsa e konsideroi me domethënie të rëndësishme strategjike mbajtjen afër të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për aq kohë sa nuk do të hapen negociatat e anëtarësimit.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të mëdha për të arritur në këtë pikë të kërkuar nga ne. Do të fokusoj të gjitha përpjekjet e mia në projekte të përbashkëta që fuqizojnë rrugën e bashkëpunimit të ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kështu t’i afrojmë këto shtete me ne. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, të tjerë do ta bëjnë”, tha Von Der Leyen.
Këtë qasje e mbështeti edhe kancelarja Merkel: “Është në interesin strategjik europian dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që këto shtete të mos humbasin shpresën në perspektivën e integrimit”.
Vetëm 24 orë përpara takimit Merkel-Leyen, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kritikoi ashpër qasjen pro zgjerimit të Unionit Europian duke theksuar nevojën për reformism të procesit pranues. Gjithashtu, paralajmëroi se nuk do të ketë hapje negociatash pa ndodhur ky reformim.