Lajme

“Paqja e qëndrueshme në Ballkan, e pamundur derisa Serbia s’e pranon fajin”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia po i kërcënon fqinjët e saj duke i përdorur pakicat etnike për destabilizim, në vend se të kërkojë falje për luftërat që i ka zhvilluar vjet më parë.

Në kuadër të diskutimit të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë, si dhe nga Ambasada e Kosovës në Austri, Kurti ka thënë se paqja kuptimplote e qëndrueshme në Ballkan është e pamundur derisa Serbia nuk e pranon fajin e saj.

“Derisa lidershipi në Serbi nuk pranon të kërkojë falje apo të pranojë fajin e vet, paqja kuptimplotë e qëndrueshme në Ballkan është e pamundur. Në vend se të kërkojë falje, Serbia vazhdon të kërcënojë fqinjët e saj dhe të përdorë pakicat etnike si vegël për destabilizim në vend se të ndihmojë integrimin e tyre”, ka thënë ai.

Paqen e qëndrueshme në Evropë, Kurti e ka ndërlidhur me demokratizimin e rajonit dhe me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë që, sipas tij, do të ndihmonin në këtë aspekt.

“Interesat dhe vlerat duhet të jenë të ndara. Kemi të bëjmë me një dialog për njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, njohja e ndërsjellë dhe demokratizimi i këtij rajoni kontribuon në paqen e qëndrueshme në Evropë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në vend se të ballafaqohet me të kaluarën dhe të distancohet nga kriminelët e luftës që kanë kryer gjenocid në vendet përreth, Serbia glorifikon kriminelët e luftës dhe të kaluarën imperialiste.

“Arsyeja kryesore dhe e vetmja pse shohim tensione gati në çdo vend të Ballkanit Perëndimor është që agresori që ka nisur të gjitha luftërat në ish-Jugoslllavi refuzon të marrë përgjegjësi përsipër. Në vend të pranimit, njohjes së rolit të vet, dëshiron të portretizojë dallimet në gjithë rajonin si burim i konfliktit. Gati 24 vjet pas gjenocideve në Bosnjë e Kosovë, Serbia nuk pranon asnjë lloj krimi, nuk ka kërkuar asnjëherë falje e nuk ka marrë përgjegjësi. Në të kundërtën lidershipi i tashëm që ka qenë në fuqi në atë kohë, flet për humbje të territorit dhe i glorifikon kriminelët”, është shprehur më tej ai.

Kurti ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian, duke thënë se në vend se ta sanksiononte agresionin serb ndaj fqinjëve, e ka shpërblyer Serbinë me miliarda euro investime të BE-së dhe avancim drejt anëtarësimit në Bllok.

“Bashkimi Evropian në vend se të sanksiononte agresionin serb ndaj fqinjëve të saj e ka shpërblyer me miliarda investime të BE-së dhe avancim drejt anëtarësimit të BE-së, derisa lidershipi serb ka kuptuar se për të marrë investimet e tilla të BE-së, pranimi i fajësisë nuk ishte detyrues, ishte e mundur që Serbia të merrte paratë e BE-së duke refuzuar vlerat evropiane. Në përpjekje për të qenë neutral ndaj statusit të Kosovës, ata janë bërë neutral ndaj agresionit të Serbisë ndaj fqinjëve të vet dhe neutral ndaj mungesës së vëmendjes së Serbisë ndaj vlerave evropiane”, ka thënë ai