Papa thotë se vizitën në Maqedoni të Veriut ia dedikon Nënës Terezë
9 Maqedoninë e Veriut janë bërë të gjitha përgatitjet për ardhjen e Papa Françeskut, i cili do ta vizitojë këtë shtet javën e ardhshme, pas një udhëtimi treditor në Bullgarinë fqinje.
Edhe pse një vend me shumicë ortodokse, ku feja e dytë më e popullarizuar është Islami dhe ku katolikët formojnë një pakicë të vogël, vendi me padurim po e pret vizitën e Papa Françeskut, raporton Ministria Lajmeve.
E, në prag të vizitës së tij, Papa ka dërguar një mesazh për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Papa ka thënë se vizitën në Shkup, ia kushton Nënës Terezë.
“Vizitën time ia kushtoj një shenjtoreje të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila, me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitet të varfërve”, thuhet në mesazhin e Papës.
Banorët e besimeve të ndryshme thanë se vizita është e rëndësishme për qytetin e tyre dhe shpresojnë se kjo do të ndihmojë në promovimin e Maqedonisë së Veriut në botë.
“Papa është padyshim udhëheqësi i bashkësisë më të madhe fetare në botë dhe vizita e tij ka një rëndësi të madhe për vendin tonë”, ka thënë Zoran Trickovski, banor i Shkupit.
“Ai është një figurë që respektohet shumë në mbarë botën, kështu që vizita e tij është një gjë e madhe”, ka thënë Avram Jovano, gjithashtu banor i Shkupit.
Maqedonia e Veriut, me një popullsi prej 2 milionë banorësh, ka vetëm 15,000 katolikë, më pak se disa famulli të vetme në Romë.
Një nga qëllimet e udhëtimit treditor është përmirësimi i marrëdhënieve me kishat ortodokse.
Vatikani po synon një unitet të mundshëm ndërmjet degëve të krishterimit në Lindje dhe Perëndim, që u ndanë në vitin 1054.
Të martën, Papa do të gjendet në Shkup, ku në një familje shqiptare në vitin 1910 lindi Nëna Terezë.
Ajo u shenjtërua nga Papa Françesku në vitin 2016.
Papa do ta vizitojë memorialin e saj dhe do të takohet me të varfrit që ndihmohen nga Urdhri i murgeshave, i themeluar nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqe.