Bota

Papa Françesku dënon djegien e librit të shenjtë Kuranin

Papa Françesku e ka dënuar djegien e librit të shenjtë mysliman, Kuranit, raportoi të hënën Reuters.

Ai ka thënë se djegia e Kuranit e ka zemëruar dhe neveritur atë dhe se ai e dënon këtë akt dhe e refuzon lejimin një forme të tillë të lirisë së shprehjes.

“Çdo libër që konsiderohet i shenjtë duhet të respektohet për të respektuar ata që besojnë në të. Ndihem i zemëruar dhe i neveritur nga këto veprime. Liria e fjalës nuk duhet të përdoret kurrë si një mjet për të përçmuar të tjerët dhe për ta lejuar atë të refuzohet dhe të dënohet”, ka thënë Papa në një intervistë dhënë gazetës së Emirateve të Bashkuara Arabe “Al Ittihad”.

Një burrë ka grisur dhe djegur Kuranin në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm javën e kaluar, akt ky që u dënua ashpër nga disa shtete, përfshirë Turqinë, mbështetjen e së cilës Suedia duhet ta fitojë për të hyrë në aleancën ushtarake të NATO-s.