Pajaziti: Kjo qeverisje ka dështuar në të gjitha sferat, s’ka koalicion me Arsiqin
Në intervistën për Titulli.com, kryetari i degës së APN-së në Bujanoc, Arbër Pajaziti ndër të tjera deklaroi se APN në zgjedhjet e ardhshme do të jetë një subjekt që do të jetë e para në listë dhe bartës të pushtetit lokal. Sipas tij kur flasim për komunën pushteti është duke punuar për kryetarin dhe qytetarët janë të fundit, shkruan Titulli.com.
Pajaziti tha se qeverisja aktuale është ndër më të kqijat që mbahet në mend jo vetëm në Bujanoc por dhe rajon. “Që kur unë dhe gjenerata ime e përcjellim politikën dhe rrjedhat politike ne vend dhe rajon, qeverisje më të keqe nuk ka pasur” – tha Pajaziti. Ai tha se nuk ka vija të kuqe në koalicione përveçse “asaj që kemi deklaruar më herët, me Stojança Arsiqin nuk do të bëjmë koalicion”- tha ai.
Pajaziti deklaroi se po ashtu ndër prioritet e APN-së në Bujanoc për ndryshim është edhe “pensionimi” i ftyrave politike që sipas tij janë “demode”, deklaroi për Titulli.com.
Titulli.com: Po kur flasim për zgjedhjet, si e shihni subjektin e APN-së pas zgjedhjeve, me sa këshilltarë komunal ?
Pajaziti: APN që nga themelimi është e vetmja që është duke u rritur, qytetarët e kanë kuptuar se i vetmi subjekt që mund të sjell ndryshim është APN. Pas formimit të degës së APN-së në Medvegjë, Alternativa për Ndryshim është duke e kompletuar infrastrukturën e saj të brendshme, brenda vitit 2019-të do të formohet edhe dega në Preshevë, organet e përgjithshme të partisë dhe pas këtij procesi do të jemi të gatshëm për çdo sfidë politike. Në zgjedhjet e ardhme që do të mbahet në pranverë të vitit 2020, APN pretendon të jete e para dhe synimi ynë është qe ti fitojmë së 10 këshilltarë ne Kuvendim Komunal te Bujanocit dhe në këtë mënyrë të jemi edhe bartës të pushtetit lokal.
Titulli.com: Pas zgjedhjeve APN me cilat parti të tjera do të ketë koalicione dhe programi juaj ?
Pajaziti: Pas zgjedhjeve do të varet nga numrat se me kë do të bëjmë koalicion, por për neve është e rëndësishme që koalicioni të behet nga partitë shqiptare, nuk kemi të preferuar dhe nuk kemi vija të kuqe me askënd, përveç asaj që kemi deklaruar më herët, me Stojança Arsiqin nuk do të bëjmë koalicion. Në politikë nuk ka urrejtje ose dashuri, ka përputhje të ideve dhe të programeve. Por jemi kategorik kundër të bëjmë koalicione me ata që janë pasardhës të Millosheviqit dhe atyre që Mira Markoviqin e kanë shpallur qytetare nderi.
Titulli.com: Cilat do të jenë prioritet për APN-në në qeverinë e ardhëshme nëse jeni pjesë e saj ?
Pajaziti: Prioritet i APN-së është ndryshimi, kur them ndryshimi e kam fjalën për çdo gjë. Duke filluar nga pensionimi i politikanëve demode, të cilët politikën e kanë bërë profesion e partitë politike pronë të tyre, ndryshim në mënyrën e qeverisjes, zhdukjen e korrupsionit qe është duke lulëzuar, keqpërdorimin me mjetet buxhetore, si ne subvencionime, projekte infrastrukturore, ku shumë punë nuk dihen as kur fillojnë as kur mbarojnë e as sa kushtojnë, transparencën për te gjitha punët dhe llogaridhënie. Ndërsa prioritet ndaj te gjitha prioriteteve do të jenë programet për të rinj, prurja e investitorëve, hapja e vendeve të qëndrueshme të punës, përkrahja e bujqve me projekte konkrete dhe jo ndarje të mjeteve të punës pa kritere për militant, por përkrahje konstante për gjatë tërë vitit për bujqit e vërtet, krijimin e ekipit të agronomeve të cilët do jenë në teren çdo ditë me bujqit. Përkrahje e bizneseve vendore, duke i subvencionuar, duke i ofruar asistencë profesionale,duke i krijuar kushte infrastrukturore biznesit vendas, duke i dhënë përparësi në punë të cilat do te kryhen ne vendin e tyre.
Titulli.com: Po qeverisja aktuale ne komunën e Bujanocit ?
Pajaziti: Për këtë temë do të kisha folur gjatë, por edhe do te isha përgjigjur me vetëm një fjalë të vetme “DËSHTIM”. Që kur unë dhe gjenerata ime e përcjellim politikën dhe rrjedhat politike ne vend dhe rajon, qeverisje më të keqe nuk ka pasur. Kjo qeverisje ka dështuar në të gjitha sferat. Duke filluar në shëndetësi, ku kemi një gjendje kaotike, asnjëherë nuk ka pasur shërbim më të dobët për qytetarët shqiptarë. Arsimi gjithashtu është në gjendje të mjerueshme. Për rininë nuk ka pasur asnjë plan konkret. Zyra për të rinj nuk funksionon qe 3 vite e gjysmë. Projektet infrastrukturore janë për çdo kritik, cilësia në punë është minimale, jetëgjatësia e projekteve është vetëm deri sa të bëhen disa foto, askush nuk mbanë përgjegjësi. Shikoni punët që janë kryer 10 vitet e fundit, sheshi i qytetit në çfarë gjendje është, më shumë se gjysma e pllakave janë thyer, fontanat nuk kane punuar as 2 javë, shtrati i lumit ne fshatin Tërnoc është në gjendje të njëjtë edhe pas investimit të milionave, rruga Muhoc – Zarbincë dështim total, Transfer stacioni dështim dhe kjo na bënë te dyshojmë për korrupsion dhe keqpërdorim.
Ky pushtet është duke punuar për kryetarin dhe njerëzit rreth tij e më së paku është duke u marr me hallet dhe problemet e qytetareve.
Titulli.com: Partia juaj në komunën e Preshevës ka dështuar paksa në realizimin e premtimeve në fushën e zhvillimit ekonomik dhe menaxhimit te komunës. Duke e pasur parasysh këtë fakt si do të mundeni me bind qytetarin e komunës se Bujanocit me votu këtë parti me modelin e Preshevës?
Pajaziti: APN në Preshevë është bartës e pushtetit lokal, atje normalisht pushteti lokal është duke funksionuar qe 1 vit e gjysmë, pas ndryshimeve qeverisëse që ndodhën dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën në fund te 2017-së. Punët janë duke ecur mbarë në përgjithësi. Në Preshevë ka një investitor, zona industrial është në përfundim të punimeve të fazës së tretë dhe të katërt, pas rregullimit të saj do të këtë edhe investitorë të tjerë dhe këtë nuk e kanë bërë për 30 vite partitë tjera, e kjo është produkt i politikës së APN-së. Megjithatë, Bujanoci ka specifika tjera dhe nevoja tjera, programet tona janë të bazuara ne baze të kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, programi ynë qeverisës i cili do të publikohet ne prag të fushatës për zgjedhjet e ardhshme lokale, do të jetë i hartuar me kujdes dhe do ti prek të gjitha shtresat e shoqërisë, e në këtë mënyrë do të jetë edhe programi më i pranueshëm për qytetarët tanë.