Osmani synon mandatin e dytë si presidente, paralajmëron bisedime për mbështetje
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon edhe një mandat të dytë në krye të shtetit, duke theksuar se po pret formimin e institucioneve të reja për të nisur bisedimet rreth mbështetjes së kandidaturës së saj.
Osmani ka deklaruar se është e gatshme të bisedojë me të gjitha partitë shqiptare, duke theksuar se vullneti i qytetarëve, sipas saj, është i qartë. Ajo ka përmendur se rreth 81 për qind e qytetarëve, sipas matjeve të ndryshme, mbështesin një mandat të dytë për të.
“Do të duhet të ulemi të diskutojmë dhe të shihet nëse deputetët dëshirojnë që të materializohet ky vullnet qytetar. Nëse nuk ka vullnet nga ana e deputetëve, unë do ta vazhdoj angazhimin tim politik edhe jashtë funksionit të presidentes”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se vendimi për zgjedhjen e presidentit i takon parlamentit të ri, por ka përsëritur se pavarësisht rezultatit, nuk do të tërhiqet nga angazhimi politik.
