Osmani: Nëse Serbia s’përballet me asnjë masë, inkurajohet për sulme të tjera
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjendet në Kosovë në një kohë shumë sfiduese për sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ajo ka thënë se Kosova është shtet i ri dhe demokratik, duke shtuar se liria e vendit është rezultat edhe i NATO-s.
Ka shtuar se janë falënderues për ushtarët e NATO-s që po japin kontribut për paqe dhe stabilitet të cilat sipas saj, janë duke u cenuar nga Serbia.
“Siç jeni në dijeni më 24 shtator u vra një polic në Banjskë, të dhënat e hetimeve zyrtare konfirmojnë se Serbia qëndron prapa këtij sulmi, si në aspektin e organizimit, po ashtu edhe financimit. Në mënyrë që të mos lejohet përsëritja e një akti të tillë duhet të adresohet përgjegjësia e Serbisë për sulmin dhe agresionin terrorist të 24 shtatorit dhe po ashtu për sulmin e majit ndaj KFOR-it. Në vend se t’i ekstradojë terroristët, Serbia vazhdon t’i mbështesë ata në planifikim të sulmeve të reja ndaj Kosovës”, ka thënë ajo.
Ka shtuar se nëse Serbia nuk përballet me asnjë masë, do të jetë inkurajim për sulme të tjera.
Osmani ka thënë se Policia e Kosovës është multietnike dhe është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me KFOR-in.