Opozita në Shqipëri mbyll protestën pas 5 orësh: Rruga jonë pa kthim
Me një fjalë të nënkryetarit të PD-së, Edi Palokës opozita i ka dhënë fund protestës së saj të gjashtë. Ai ka deklaruar se rruga e tyre për rrëzimin e qeverisë nuk ndalet me kaq. 15:12
Protestuesit nga Kuvendi tek Policia e Tiranës
Me nisjen e seancës së Kuvendit të Shqipërisë, në Tiranë ka nisur edhe protesta e opozitës jashtë godinës së Parlamentit.
Dëgjohen thirrje kundër qeverisë, teksa protestuesit mbajnë pankarta në duar dhe flamuj kombëtar.
Ndërkohë janë shënuar edhe incidentet e para, pasi protestuesit janë përplasur me policinë, si edhe kanë hedhur shashka para Kuvendit.
“Rama ik”, dëgjohen thirrjet e tyre, teksa kanë tentuar të çajnë edhe kordonin e policisë.
Në protestë marrin pjesë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ish-kryeministri Sali Berisha.
Protestuesit rreth orës 13 e 30 janë larguar nga Kuvendi duke u zhvendosur para Policisë së Tiranës.
Ndërkohë që protesta e opozitës është zhvendosur tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Përmes një postimi në Twitter, Lleshaj ka ftuar qytetarët që të mbështesin policinë.
“Ftoj qytetarët që të mbështesin Policinë e Shtetit në luftën e përbashkët kundër krimit për një Shqipëri normale. Mirënjohje për dinjitetin dhe përkushtimin e punonjësve të PSH.
Protestat e verbra që godasin deputetë, institucione dhe policë, sjellin vetëm një rezultat. Ato pengojnë shumë policë që të merren me detyrën e tyre kryesore, që është lufta kundër krimit.”, përfundon Lleshaj.