Opozita në Shqipëri i kthehet protestave, ditën kur Kuvendi diskuton për Metën
Liderët e opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, kanë ftuar qytetarët në një protestë masive në Tiranë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha betejën e opozitës e ka quajtur përballje me qeverinë kriminale.
“Nesër me 8 korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për Shqipëria si Europa! Asnjë hap pas! #RamaIk”, ka shkruar Basha në Facebook.
Edhe kryetarja e Lëvizjes për Integrim Monika Kryemadhi ka bërë thirrje nëpërmjet Facebook-ut që të bëhen të gjithë bashkë “për një Shqipëri evropiane”.
“Ky është momenti për një shtet me institucione të forta që garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin dhe të ardhmen e të rinjve, familjeve, bizneseve shqiptare. Nesër të gjithë bashkë për një Shqipëri Evropiane. Asnjë hap pas!”, ka shkruar Kryemadhi në Facebook.
Kjo është protesta e dhjetë me radhë e opozitës. Ajo mbahet në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë formimin e një komisioni për të shqyrtuar nëse presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën ku me anë të një dekreti shtyu zgjedhjet lokale, nga i cili vendim do të varet edhe shkarkimi i tij.