Lajme

O’Connell: Ka ardhur koha që qytetarët t’i ndalojnë politikanët

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, në forumin “Fol Hapur” të Lëvizjes Fol, ka thënë se ka ardhur koha që të ngrihet zëri qytetar ndaj korrupsionit në Kosovë.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se po bën thirrje për protesta por për vetëdijesim të qytetarëve. Kjo pasi, siç është shprehur ambasadori britanik, e vetmja mënyrë për të detyruar politikanët të marrim masa ndaj kësaj gjendjeje është presioni qytetar.

Ai ka thënë se Kosova do të gjykohet jashtë vendit për shkak të sjelljeve të Qeverisë por edhe nëse qytetarët e pranojnë këtë sjellje të Qeverisë. Kjo sipas tij, ndikon në politikë, në investim e turizëm.

Problemet e tilla ka thënë se nuk mund t’i rregullojnë të huajt por vet qytetarët e atij shtetit.

“Ne nuk kemi të drejtë vote, nuk jemi pjesë e shoqërisë, jemi vetëm miqtë e Kosovës. Duhet të dëgjoi miqtë kur themi se ka ardhur koha të rregulloni këto probleme sepse nuk ka më durim. Kosova ka nevojë për përkrahjen e përditshme të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe nëse kjo përkrahje humb do të ishte një problem jetik për Kosovën”, ka theksuar ai, raporton “Koha Ditore”.

Sipas tij, për ta është e papranueshme që në dy vitet e fundit askush në Kosovë nuk është dënuar për korrupsion për rastet e krimeve të mesme dhe të larta.

“20 vjet pas luftës kemi ardhur në momentin që duhet të merren masa konkrete për të pasur rezultate”, ka theksuar ai.

Ai ka folur edhe për çështjen e rekrutimeve në pozita të ndryshme, duke thënë se në disa raste nuk janë marrë parasysh rekomandimet e ambasadës Britanike.

“Disa herë janë injoruar rekomandimet e disa herë jo, ne do të vazhdojmë ta monitorojmë këtë proces, nëse ka mohime flagrante të rekomandimeve duhet të vendosim të shpenzojmë para ose jo”, ka shtuar ai.