Bota

OBSH: Vaksina anti-COVID nuk e zhduk koronavirusin

Edhe pse janë zbuluar disa vaksina kundër pandemisë COVID-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë iu bën thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë masat kufizuese. OBSH thotë se vaksinat nuk do e zhdukin përfundimisht koronavirusin.

“Vaksinat nuk nënkuptojnë zero raste me COVID”, konfirmoi Mike Ryan, i ngarkuar për situatat e urgjencës në agjencinë e OKB-së duke shpjeguar se vetëm vaksinat nuk mund të bëjnë të gjithë punën.

Shefi i OBSH gjithashtu përgëzoi zgjedhjen e bërë nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe ish-presidentët e SHBA-së Barack Obama , George Ë. Bush dhe Bill Clinton të cilët thanë se ishin të gatshëm të vaksinoheshin publikisht për të inkurajuar bashkëqytetarët të bëjnë të njëjtën gjë.

Ndërkohë, zyrtarja e ngarkuar me menaxhimin e pandemisë në OBSH, amerikanja Maria Van Kerkhove, i bëri thirrje popullatës që të reflektojnë gjatë sezonit të festave të fundvitit në mënyrë që të kufizojnë transmetimin e koronavirusit.

“Vendimet që ne marrim tani, mund të nënkuptojnë jetën ose vdekjen për ne, për familjen tonë”, shtoi ajo.

Pandemia e koronavirusit, që ka prekur 65 milionë persona dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1,5 milionë, vijon të përhapet me ritme të shpejta në botë, ndërsa që projektet për vaksinime masive janë përcaktuar në disa vende.

“Progreset e realizuar në fushën e vaksinave na japin të gjithëve moral dhe ne mund të fillojmë tashmë të shohim dritë në fund të tunelit”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.