Bota

OBSH: Tërmetet në Turqi dhe Siri janë fatkeqësia më e madhe natyrore në 100 vjetët e fundit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se tërmetet shkatërruese të javës së kaluar në Siri dhe Turqi, të cilët lanë të vdekur më shumë se 37 mijë njerëz, janë fatkeqësia më e keqe natyrore në 100 vjetët e fundit.

“Ne jemi dëshmitarë të fatkeqësisë më të keqe natyrore në rajonin evropian të OBSH-së në shekullin e kaluar dhe ne ende po mësojmë për shkallën e saj”, u tha gazetarëve Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën.

Rajoni evropian i OBSH-së përbëhet nga 53 vende duke përfshirë Turqinë. Siria është anëtare e rajonit fqinj të Mesdheut Lindor të OBSH-së.

Kluge ka thënë se OBSH-ja kishte nisur dislokimin më të madh të ekipeve të ndihmës mjekësore në historinë 75-vjeçare të rajonit evropian të OBSH-së.

“22 ekipe të ndihmës mjekësore emergjente kanë mbërritur deri më tani në Turqi”, ka theksuar Kluge.