OBSH: Ballkani Perëndimor, vatër e pandemisë
Organizata Botërore e Shëndetësisë u shpreh se Ballkani Perëndimor u shndërrua në një vatër të koronavirusit gjatë sezonit të verës.
OBSH deklaroi se rritja e rasteve u vu re që në fillim të qershorit, por vëren se në disa prej vendeve të rajonit ka sinjale për përmirësim të situatës.
“Situata në Ballkanin Perëndimor na ka shqetësuar që prej fillimit të muajit qershor, kur pamë rritje të rasteve. Rajoni u shndërrua në një vatër të pandemisë përgjatë periudhës së verës. Megjithatë na inkurajon fakti se po fillojmë të shohim një nivelim të shifrave në shumicën e këtyre vendeve, sinjale për ulje të rasteve.
Do të duhet të punojmë shumë që rënia të vazhdojë, pasi virusi do të përhapet. Prandaj është shumë e nevojshme të ndërmerren hapat e duhur si gjurmim, izolim dhe testim dhe nëse do të ketë rritje të transmetimit masat duhen ashpërsuar” u shpreh zëdhënsja. Catherine Smallwood.
Kujtojmë se dhe vendi ynë pati një rritje të ndjeshme të rasteve pas rihapjes. Prej ditësh numri i rasteve ditore është mbi 100, dhe spitalet Covid po arrijnë maksimumin e kapaciteteve./Opinion.al