Nuk shkojnë bashkë angazhimi për “Srpski Svet” dhe propaganda për integrim të minoriteteve, edhe shqiptarëve
Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, reagon ndaj deklaratave të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq
Reagimi i plotë :
??? ???????̈ ??????̈ ????????? ??̈? “?????? ????” ??? ?????????? ??̈? ???????? ??̈ ????????????, ???? ?????????̈??
Sot, pas takimit me shefin e Misionit të OSBE-së në Serbi, Ambasadorin Jan Brathau, Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq paska deklaruar se “do t’i integrojmë shqiptarët, për të punuar në polici dhe si mjek“, porse shqiptarët, sipas tij “duhet të dijnë në cilin shtet jetojnë”.
Së pari lajm i mirë që vet Presidenti i Serbisë pranon më në fund se shqiptarët në Serbi nuk janë të integruar.
Së dyti është klasik ky argumenti i mungesës së vullnetit të integrimit të minoriteteve në emër të moslojalitetit të tyre ndaj shtetit.
Lojaliteti i qytetarëve ndaj shtetit është përgjegjësi e shtetit, jo e qytetarëve! Nëse ka qytetarë që nuk e ndjejnë shtetin si të tyre, fajin duhet kërkuar te shteti me organet e tij, jo te qytetarët.
Sot ka jo pak qytetarë të përkatësisë etnike serbe që nuk e ndjejnë Serbinë si shtet të tyre dhe e kanë braktisur atë, sepse nuk i jep mirëqenie dhe as ndjenjën e përkatësisë së shtetësisë dhe qytetarisë.
Siç ka shumë qytetarë të përkatësisë etnike shqiptare që ndjejnë sot Zvicrën apo Shtetet e Bashkuara si shtet të tyre, për mirëqenien dhe të drejtat që i ofron shteti.
Por sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ata kanë vite që presin të punësohen në institucionet e Republikës së Serbisë. Refuzohen nga shteti që qeveriset pothuajse vetëm nga Presidenti Vuçiq.
Kanë vite që presin t’ju njihen diplomat nga shteti i Serbisë. Refuzohen nga shteti që qeveriset pothuajse vetëm nga Presidenti Vuçiq.
Kanë vitë që presin që t’ju njihen ligjërisht simbolet e tyre kombëtare nga shteti i Serbisë. Refuzohen nga shteti që qeveriset pothuajse vetëm nga Presidenti Vuçiq.
Kanë vite që presin investime publike nga shteti i Serbisë. Refuzohen nga shteti që qeveriset pothuajse vetëm nga Presidenti Vuçiq.
Këto e shumë zotime të tjera gjinden në 3 marrëveshjet (2001, 2009 dhe 2013) që ka nënshkruar shteti që qeveriset pothuajse vetëm nga Presidenti Vuçiq me të zgjedhurit e Luginës për integrimin e shqiptarëve dhe zhvillimin socioekonomik të Luginës.
Zbatimi i këtyre marrëveshjeve bllokohet nga shteti që qeveristet pothuajse vetëm nga Presidenti Vuçiq.
Siç edhe bllokohet dialogu me të zgjedhurit e Luginës nga shteti që qeveriset pothuajse vetëm nga Presidenti Vuçiq.
Presidenti Vuçiq mund edhe të vazhdojë ta manipulojë bashkësinë ndëkombëtare duke u treguar “konstruktiv” jashtë vendit dhe autoritar brenda vendit ndaj minoriteteve dhe opozitarëve.
Por duhet të përcaktohet për çfarë angazhohet? Se nuk shkojnë bashkë edhe angazhimi për “Srpski Svet” edhe propaganda për integrim të minoriteteve, edhe shqiptarëve.