FutbollSporti

Nuhiu pritet të mbetet te Sheffieldi

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Atdhe Nuhiu, pritet të mbetet te skuadra e Sheffield Wednesdayt të paktën edhe edicionin e ardhshëm.

“The Star” ka shkruar të hënën se Nuhiu, që ka kontratë me klubin nga Championshipi deri në fund të këtij edicioni, pritet ta rinovojë atë të paktën edhe për dy vjet të tjera.

Sulmuesi 30-vjeçar është vetëm njëri prej disa lojtarëve që pritet ta vazhdojnë bashkëpunimin me Sheffieldin.

Nuhiu këtë edicion ka realizuar tri gola dhe ka bërë një asistim në 20 paraqitje për Sheffieldin në të gjitha garat. Ai është pjesë e këtij ekipi prej verës së vitit 2013, kurse karrierë ka bërë edhe te Rapidi, Eskishehirspori, Riedi e Austria Karnteni.

Ai prej vitit 2017 është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe deri më tani ka shënuar dy gola në 15 ndeshje.