Lajme

Nisma Socialdemokrate nuk do ta votojë qeverinë e Albin Kurtit

Nisma Socialdemokrate nuk do ta votojë qeverinë e Albin Kurtit të Vetëvendosjes, e cila pritet të dalë për votim në Kuvend të hënën.

Këtë e ka konfirmuar deputeti i zgjedhur i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala.

Ai ka thënë për KosovaPress se deputetët e partisë së Fatmir Limajt nuk do të votojnë pro qeverisë së Kurtit.

Po ashtu ai ka thënë se Nisma nuk e përkrah opsionin për qeveri të pakicës, duke shtuar se kjo nuk do të ishte zgjidhje e mirë për vendin.

Për dallim prej Shalës, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përmes një shkrimi, thotë se ia vlen të formohet një qeveri e pakicës.

Krasniqi ka thënë se ia vlen që të shihet se e majta a ka konsekuencë e konsistencë parimore në qeverisje, “se në politikë nuk e pamë ndonjë konsistencë në mbrojtje të parimeve politike”.

“Votuesi në Kosovë i ka mundësuar Vetëvendosjes që të del partia e parë e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, pse qytetari i Kosovës mos ta provoj qeverisjen e Albin Kurtit?!”, shkruan Krasniqi.

Tutje, thotë Krasniqi, nëse për një vit nuk shihet ndonjë ndryshim esencial në qeverisjen e vendit, pas një viti me mocion të mosbesimit lehtë mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.