MaqedoniUncategorized

Nis sezoni turistik në Ohër dhe në Strugë

Në Ohër më shumë se një muaj është duke u pastruar bregu i liqenit nga objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme, banakët, hotelet, bazamentet prej betoni dhe pajisje të llojllojshme urbane, por në bregun e Strugës po ndërtohen objekte të reja. Aktivistët dhe kryetari i Ohrit kërkojnë që ligji të vlejë në mënyrë të njëjtë për të dyja anët e liqenit dhe të mos kenë arshinë të dyfishtë.

Duhet përfundimisht të mbisundojë ligji veçanërisht në pjesën e urbanizmit në brezin e bregut të Liqenit të Ohrit, veçanërisht në pjesën e Komunës së Strugës. Nuk respektohen ligjet”-Gligorie Qatoski, aktivist i “Mjaftë është”. Veprimi nuk është e drejtë e zgjedhjes. Ky është obligim dhe secili funksionar publik duhet të veprojë për atë që është zgjedhur, e kjo është të respektojë ligjin. Ne e shikojmë oborrin tonë dhe veprojmë. I bëj thirrje që t’i përmbahet ligjit”-tha Konstantin Gjergjieski, Kryetar i Ohrit.

Komuna e Strugës, e ankimoi dekretin qeveritar, me të cilin parashikohet kthimi i bregut të liqenit në gjendjen fillestare. Dekreti ishte bllokuar në Gjykatën Kushtetuese. Nga sektori joqeveritar pohojnë se kjo nuk ua jep të drejtën komunave që të mos veprojnë lidhur me çështjen e ndërtimeve të paligjshme.

Shfrytëzimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese si arsyetim për moszbatimin e ligjeve është në fakt tërësisht në shërbim të mafisë urbane dhe paraqet një justifikim të pakuptimtë”-Dragana Vellkoska, Ohër SOS.

Kryetari i Strugës, Ramiz Merko, kohë më parë deklaroi se gjithçka që është ndërtuar në Strugë ka qenë e ligjshme, ndërsa për reagimet e opinionit dhe organizatave joqeveritare se po ndërtohen ndërtime të reja të paligjshme, tha se nuk i bëhet vonë. Ai pohon se në Strugë nuk ka ndërtime të paligjshme, ndonëse statistika në vetë komunën tregon se janë parashtruar 3.300 kërkesa për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme. Merko sot nuk ishte i kapshëm për koment.