Nis “lufta e vërtetë”, Reali e Barça përplasen në nivel tjetër
Real Madridi dhe Barcelona kanë çuar në nivel tjetër përplasjen e tyre historike. Dy klubet më të mëdha spanjolle kanë polemizuar ashpër të hënën.
Joan Laporta, president i Barcelonës, të hënën gjatë ditës iu drejtua me kritika direkte Real Madridit në deklaratën e tij mbrojtëse pas nisjes së rastit zyrtarisht ndaj ish-gjyqtarit spanjoll, Jose Maria Enriquez Negreira, të dyshuar për korrupsion.
Në fjalimin e tij 35-minutësh, Laporta mohoi gjithçka që e lidh rastin e Negreiras me klubin e tij, duke thënë se Barcelona ka qenë viktimë e një kampanje për ta dëmtuar klubin.
Pas kritikave lidhur me këto hetime dhe rast, Laporta iu drejtua Realit duke e cilësuar si “klub të regjimit”.
“Dua të theksoj rastin e një klubi. Ai klub është Real Madridi. Një klub që gjithmonë ka qenë i favorizuar dhe ka qenë klub i regjimit. Dua t’ju kujtoj se gjatë 70 vjetëve, shumica e njerëzve që kanë caktuar gjyqtarë kanë qenë drejtorë, anëtarë ose lojtarë të Real Madridit. Ai Real Madrid që e paraqet veten në këtë rast, si viktimë të korrupsionit sportiv, bën akt të cinizmit maksimal”, ka thënë Laporta.
Komentet e tij shkaktuan tronditje në futbollin spanjoll.
Reali priti disa orë para se të zgjidhte një video si kundërpërgjigje. Në rrjete sociale, Reali ka publikuar videon në të cilën ka shpërfaqur lidhjet e Barcelonës me regjimin e Francisco Francos në fillim të shekullit të shkuar. Në atë kohë ish-lideri spanjoll miratoi një pako shpëtimi financiare për ta shpëtuar Barçën nga shkatërrimi.
“Kush është klubi i regjimit?” ka pyetur Real Madridi duke iu referuar diktatorit që udhëhoqi Spanjën në periudhën 1939-1975.
Reali ka thënë se Barça e ka bërë Francon anëtar nderi e se gjatë kohës së tij “Barcelona ka fituar tetë tituj të La Ligas dhe nëntë Kupa të Mbretit”.
“Madridit iu deshën 15 vjet për ta fituar ligën e Spanjës gjatë kohës së Francos në pushtet”, thuhet në reagimin e Realit.