Nga Bosnja nisen 300 tonë ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri
Një autokolonë me ndihma prej rreth 300 ton mallrash, kryesisht materiale ndërtimi, në organizim të Shoqatës “Pomozi.ba” në mëngjes u nis nga Sarajeva për në Shqipëri.
Themeluesi i Shoqatës “Pomozi.ba” Elvir Karaliç tha se para një muaji ka filluar aksioni për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Karaliç tha se kërkesat ishin fillimisht për ushqim, dyshekë, tenda dhe garderobë, por pas konsultimit me Shtabin e Krizave në Durrës, pati një ndryshim.
“U informuam se materiali ndërtimor është më i domosdoshëm ashtu që zhvendosëm fokusin tonë nga ushqimi, i cili ishte në fazën fillestare, tek materiali ndërtimor. Pra, nga këto 300 ton ndihma, ka 14 maunë, rreth 270 ton janë material ndërtimi ndërsa pjesa tjetër është ushqim, dyshekë dhe pelena”, tha Karaliç.
Ai shtoi se kjo ndihmë është nga populli i Bosnjë e Hercegovinës për popullin e Shqipërisë.
Konsulli i përgjithshëm i nderit të Republikës së Shqipërisë në BeH, Muharrem Zejnullahu, kujtoi se menjëherë pas tërmetit, “Pomozi.ba” u përfshi në mbledhjen e ndihmës.