LajmeShqipëri

Nga 1 qershori Shqipëria hap kufijtë tokësorë për lëvizjen e të gjithë bashkëkombasve

Nga e hëna, 1 qershor, Shqipëria do të hapë kufijtë tokësorë me fqinjët për të gjithë shqiptarët, qofshin me pasaportë të Shqipërisë, me pasaportë të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi.

Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili tha se “ne do të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje pa pushim të gjithëve pa përjashtim për kujdes”.

“Ne jemi duke hedhur hapat sipas një plani të mirëmenduar dhe jo ngadalë, përkundrazi. Jemi gati të hapim kufijtë tokësor, por e dini se duhet të marrim miratim nga vendet me të cilat kemi lidhje direkte të transportit ajror, sepse nëse jo, po qe se ne hapemi me shtetet e tjera, atëherë nuk hapen ato vende me ne”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se çfarë bëhet në BE me qarkullimin e lirë mes vetë vendeve të BE-së. “Shengeni deri në 15 qershor është i mbyllur, ndërkohë që fluturimet mes vendeve të BE-së janë po ashtu të mbyllura hë për hë. Faktet janë fakte dhe fakti se disa nuk duan t’i dinë faktet e vërteta është e qartë për këdo që ka sy dhe do të shohë, ka veshë dhe do të dëgjojë, ka tru dhe do të mendojë. Në luftën globale Shqipëria, ne së bashku kemi bërë një histori të padiskutueshme suksesi që do të mbahet mend”, tha Rama/ATSH.