Bota

Netanyahu ndërpret vizitën në Greqi pas vrasjes së Soleimanit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ndërprerë qëndrimin e tij zyrtar në Greqi dhe po kthehet në Izrael si pasojë e vrasjes së Qasem Soleimanit, komandantit të Forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, në një sulm të SHBA-së në Bagdad, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Kryeministrit të Izraelit njoftoi në një deklaratë me shkrim se Netanyahu brenda disa orëve do të kthehet në vendin e tij.

Pas vrasjes së Soleimanit, ushtria izraelite sot mori vendim ta mbajë të mbyllur Qendrën e Skijimit Hermon në Lartësirat e pushtuara të Golanit në Siri si masë preventive kundër sulmeve të mundshme.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes Naftali Bennett njoftoi se sot në Tel Aviv do të mblidhen zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë edhe kreun e ushtrisë Aviv Kohav, për të diskutuar situatën e fundit.

Po ashtu, Izraeli ka rritur në nivel të lartë masat e sigurisë edhe në përfaqësitë e jashtme nga shkaku i shqetësimeve për kundërpërgjigje nga Irani pas vrasjes së Soleimanit.

Ndryshe, Pentagoni sot njoftoi se në një sulm me dron pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit është vrarë Soleimani dhe Abu Mahdi al-Muhandis, nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të lidhur me Iranin.

Pentagoni akuzoi Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit.

Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë në reagimet e tyre pas sulmit janë shprehur se do të hakmerren për vrasjen e gjeneralit iranian.

Sulmi erdhi në vazhdën e tensioneve Iran-SHBA, pasi mijëra irakianë sulmuan kompleksin e ambasadës amerikane në Bagdad të martën, duke protestuar kundër sulmeve ajrore të së dielës në Irak dhe Siri kundër milicisë Kataib Hezbollah, në të ciliat u vranë të paktën 25 luftëtarë.

Sulmet ajrore ishin përgjigje të një sulmi me raketa të premten e kaluar në një bazë ushtarake amerikane në Kirkuk, për të cilën u fajësua Kataib Hezbollah, i cili është pjesë e grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani. Sulmi i së premtes la të vrarë një kontraktues amerikan dhe plagosi katër anëtarë të stafit amerikan.