Negociatat për koalicionin me LDK-në, reagon Albin Kurti: Ky do të ishte skenari më i keq
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti ka thënë sot se skenari më i keq i mundshëm që mund të ndodhë në Kosovë janë zgjedhjet e reja.
Në një intervistë të transmetuar sot në Ora News, Kurti deklaroi se koalicioni i mundshëm VV-LDK ka ngecur për “çështje taktike”.
“Gjithçka tregon dhe dëshmon që gjërat po vonohen, por janë në drejtimin e duhur . Pra nuk ka ndryshim drejtimi, ka vonesë. Pra nuk ka as strategji as parime të tjera, veç çështje taktike”, ka thënë Kurti.
I pyetur nëse ndodhë që të mos arrihet marrëveshja LDK-VV, Kurti është shprehur se ky do të ishte skenari më i keq.
“Atëherë, zgjedhje të reja do të kemi sërish. Skenari më i keq i mundshëm, në këtë situatë janë zgjedhjet e reja, që i bie që në binarë të njëjtë, treni do niset nga fillimi”, ka deklaruar Kurti.