Maqedoni

Në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet parlamentare, votojnë edhe të prekurit nga Kovid-19

Në zgjedhjet e korrikut garojnë tre koalicione parazgjedhore dhe 12 parti politike. Për shkak të pandemisë procesi do të zhvillohet nën protokolle të rrepta dhe masa mbrojtëse. Votuesit duhet të dezinfektohen para votimit dhe pas tij, ndërsa gjatë procesit duhet posedojnë maskë, doreza dhe të mbajnë distancën. Më 13 korrik votojnë të prekurit nga Kovid-19, më 14 korrik të burgosurit, të sëmurit kronik dhe personat që nuk kanë fuqi për lëvizje deri në vendvotime ndërsa më 15 korrik zhvillohet procesi zgjedhor në nivel shtetëror. Të drejtë vote kanë 1.814.263 qytetarë. Procesi zhvillohet në 3390 vendvotime. Gjithsej janë akredituar 2628 vëzhgues, 2414 prej të cilëve vendas dhe 177 vëzhgues të huaj. Për dallim nga zgjedhjet e tjera, ky proces zgjatë 14 orë, përkatësisht nga ora 07 deri në orën 21. Qytetarët të cilëve u shkelet e drejta e votës mund të denoncojnë në linjat pa pagesë apo në Zyrën e Avokatit të Popullit. Pas certifikimit të rezultateve, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve. Pas mbylljes së procedurave ligjore, pasojnë procedurat Kushtetuese si konstituimi i Kuvendit, formimi i trupave punuese, ndarja e mandatit dhe negociatat për formimin e Qeverisë së re.