Lajme

Në Mal të Zi numri i të infektuarve shkon në 8, në Maqedoni 42 e në Serbi 97

Edhe gjashtë raste të reja me koronavirus janë regjistruar në Mal të Zi, duke e ngritur në 8 numrin e të infektuarve në këtë shtet. Kjo teksa Maqedonia e Veriut ka bërë të ditur se numri i të prekurve me COVID-19 është ngritur në 42 dhe Serbia ka raportuar për 97 raste të regjistruara deri më tani.

“Prej testeve të kryera, pozitivë në koronavirus kanë dalur 6, prej të cilëve një nuk ka lidhje epidemiologjike me rastet konfirmuara tani”, është bërë e ditur nga Instituti malazez i Shëndetit Publik, raportojnë agjencitë lokale, transmeton koha.

Ndërkohë, në Maqedoni të Veriut, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, përmes një statusi në “Facebook” ka bërë të ditur mbrëmjen e së mërkures se edhe shtatë raste të reja janë konfirmuar në këtë shtet.

“Numri i personave të infektuar me virus në vend deri në orën 21:00 është 42. Gjendja e të gjithë pacientëve është e qëndrueshme”, shkruan Filipçe.

Ndërkohë, në uebfaqen e Ministrisë serbe të Shëndetësisë, në këtë shtet janë konfirmuar nëntë raste të reja. Numri i të infektuarve në këtë shtet ka mbërritur në 97.