Bota

Në Etiopi mbillen më shumë se 200 milionë pemë në një ditë

Etiopia ka mbjellë më shumë se 200 milionë pemë në një ditë, kanë thënë zyrtarët shtetërorë, që besojnë se ky është rekord i ri botëror.

Kryeministri Abiy Ahmed po udhëheq projektin, që synon të kundërshtojë efektet e shpyllëzimit dhe ndryshimet klimatike në vendin që njihet për thatësira.

Disa zyra publike janë mbyllur për të lejuar nëpunësit civilë të marrin pjesë në mbjelljen e pemëve, raporton BBC.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se shtrirja e maleve në Etiopi ka rënë nga 35 për qind e territorit në fillim të shekullit 20 në pak më shumë se katër për qind në të 2000-at.

Zyrtarët kishin numëruar mbjelljen e pemëve, transmeton Koha.net. Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë në Etiopi, Getahun Mekuria, ka shkruar në rrjete sociale se në vend ishin mbjellë më shumë se 220 milionë pemë.

Synimi i shtetit është të mbjellë në total katër miliardë pemë.

Video promovuese janë shpërndarë në media shtetërore për të nxitur publikun të mbjellë e të kujdeset për pemët.

Rekordi botëror aktual për mbjelljen e pemëve në një ditë mbahet nga India, që përdori 800 mijë vullnetarë për të mbjellë më shumë se 50 milionë pemë më 2016