Ndryshon sërish rregullorja për hyrje në Austri
Me rregulloren e re e cila u publikua të hënën nga qeveria austriake, u tha se “Testimi falas” për ata që hynë në Austri nuk do të jetë i mundshëm dhe se kushdo që hynë në Austri pavarësisht testit, qoftë edhe negativ, duhet të qëndroj 10 ditë në karantinë. Por, kjo rregullore ka ndryshuar përsëri, njofton albinfo.at
Sipas gazetës austriake oe24.at, në të ardhmen, udhëtarët të cilët hynë në Austri, detyrohen të regjistrohen dhe t’i nënshtrohen një testi të koronavirusit. Kjo rregullore është publikuar të mërkurën nga Ministria e Çështjeve Sociale. Ashtu sikur deri tash, ata që hynë në Austri do të nënshkruajnë një formular për një karantine dhjetë ditore, megjithatë pas pesë ditësh mund të lirohen, nëse e bëjnë testin dhe rezultojnë negativ. Pra, në thelb është e njëjta rregullore që zbatohet tash e sa kohë në Austri, transmeton albinfo.at
Sa u përket udhëtarëve ndërkufitarë, ata duhet të regjistrohen një herë në javë ashtu si çdo emigrant tjetër. Për më tepër, duhet të paraqesin një test negativ antigen ose PCR i cili nuk duhet të jetë më i vjetër se shtatë ditë.
Udhëtarët ndërkufitarë të cilët hynë në Austri më rrallë se një herë në javë, duhet të regjistrohen para se të hynë në vend. Regjistrimi është i detyrueshëm nga 10 shkurti, por është e mundur që të bëhet regjistrimi nga data 7 shkurt.
Në rregulloren e re përfshihen edhe britanikët pas daljes nga BE-ja. Me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme siç janë udhëtimet e biznesit, nuk ju lejohet më të hyni në Austri për sa kohë që Britania e Madhe konsiderohet një vend me rrezik.