Shqipëri

Ndërron jetë në spital shoferi i prokurorit Ndoja

Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Burime nga mjekët e kanë konfirmuar lajmin për tvklan.al.

Gjashtë ditë pas atentatit që ndodhi më 1 Nëntor në autostradën Tiranë-Durrës, Andi Maloku nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda.

Plumbat i kishin prekur mushkërinë dhe shtyllën kurrizore shoferit të prokurorit Ndoja.

Mjekët kishin mundur të stabilizonin gjendjen e tij shëndetësore, por e mbanin në kujdes intensiv për shkak të situatës kritike. Bluzat e bardha dyshonin se 24-vjeçari mund të mbetej i paralizuar për shkak të plumbit që e kishte prekur në shtyllën kurrizore, por mesa duket gjendja e tij u përkeqësua gjatë ditëve të fundit. Andi Maloku ndërroi jetë pak çaste më parë në Spitalin e Traumës në kryeqytet.