Nagip Arifi në Tiranë, kërkon ndihmë për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë
Ndërsa në Shkup presidenti serb Aleksandar Vuçiq e kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bënin apel për të lënë pas të shkuarën e për të parë drejt të ardhmen, para së gjithash në ngritjen e standardit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve, Tiranën e vizitoi i pari komunitetit shqiptar të komunës së Bujanocit për të kërkuar ndihmë sepse Serbia po përdor metodën e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Nagip Arifi pati takime me presidentin Ilir Meta, me ministrin Pandeli Majko, si dhe me kreun e PD-së, Lulzim Basha.
Ai tha se me ta foli për metodat e Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve, ndërsa kërkoi ndihmën e shtetit shqiptar për këtë problem.
“Sot patëm një takim vëllazëror. Paradite u takova me Presidentin Ilir Meta, ministrin Majko, dhe tanimë me kreun e PD. E njoftova me problemet e sfidat e shqiptarëve kryesisht në Bujanoc, se si po vepron Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si po përdor metodën e spastrimit etnik. Ne kërkuam ndihmën e shtetit shqiptar sepse me një Shqipëri të fortë, në NATO, në BE, po ashtu me një Kosovë të pavarur me pretendime të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jenë më të sigurt, më të fortë. Unë mendoj dhe shumë shpresoj se shqiptarët një ditë do të jetojnë të bashkuar në Evropën e bashkuar”, tha Arifi pas takimit me kreun e PD-së, Lulzim Basha.
Në Shkup, krah Vuçiqit e teksa po fliste për projektin e “Ballkanit të hapur”, Rama “heshti” dhe nuk përmendi asnjë fjalë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk foli për spastrimin etnik nga i ashtuquajturi “procesi i përcaktimit të adresave të shqiptarëve”.
Në Tiranë, opozita e dënoi me forcë këtë metodë të Serbisë dhe u kërkoi autoriteteve serbe ta ndalin menjëherë këtë praktikë të paligjshme.
“Partia Demokratike dënon me forcë dhe i kërkon autoriteteve serbe, nga kreu i shtetit tek qeveria serbe, të ndalin menjëherë këtë praktikë të paligjshme, sikundër i bën thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përmes presionit të drejtpërdrejtë të bëjnë gjithçka për të ndalur këtë spastrim etnik që po ndodhë tashmë prej vitesh përmes pasivizimit të adresave ku vetëm në komunën e Bujanovit për shkak të këtij procesi të paligjshëm dhe me reminishencat e regjimeve të kaluara, mbi 2 mijë qytetarë të kësaj komune, shqiptarë, kanë humbur të drejtën e rezidencës, të sigurimeve shoqërore dhe të drejta të tjera që burojnë nga regjistrimi i ligjshëm si banor të kësaj komune”, u shpreh Basha.
Partia Demokratike, premtoi ai, do të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund kësaj “neglizhence të qeverisë aktuale ndaj detyrimeve kushtetuese që çdo qeveri shqiptare ka dhe për t’i dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme politike dhe financiare shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Basha në fund e thumboi Ramën kur i kujtoi se në takimin e Shkupit heshti për këta qytetarë që ai ka detyrim kushtetues për t’u kujdesur.
“Nuk e di sa kohë i kushton, apo i ka kushtuar Edi Rama këtij problemi kur flet me mikun e tij Vuçiq. Në qoftë se i ka kushtuar ndopak kohë e ka mbajtur sekretin mjaftë mirë”, tha Basha.